Edicioni ne gjuhen shqipe - Edizione in lingua albanese



faqja e pare > zbulo > receta e ballokumit, embelsira e dites se veres

Receta e ballokumit, embelsira e Dites se Veres

Publikuar 12.12.2008

MASAT
1 kg sheqer, 0.4 kg gjalp, 7-8 kokrra vezë, 1 kg miell misri i situr, një dorë miell gruri,
1 fixhan kafeje qumësht; një enë e madhe bakri e pakallajisur ose edhe prej qelqi.

GATIMI
Tretet gjalpi dhe lihet te fundërrojnë kripërat e tij. Pastaj gjalpi i vakët dhe pa kripërat e rëna në fund rrihet me sheqerin deri sa të bëhet një masë e bardhë. E mira është që rrahja e masës të bëhet me dorë, sepse përfundimi i përzjerjes ndjehet kur të duket se prek fije me dorën që po përzien masën e krijuar. Ndërkohë vezët janë përzjerë me qumështin më parë dhe shtohen dalëngadalë tek sheqeri i rrahur, duke vazhduar përzjerjen e këtij të fundit.

Pastaj hidhet mielli dalëngadalë duke vazhduar perzjerjen me dorë. Mielli i grurit hidhet nga fundi. Duhet patur kujdes me hedhjen e miellit, sepse mielli i tepërt i bën të forta ballokumet pas pjekjes. Prandaj, pasi është harxhuar sasia e paracaktuar e miellit, brumi lihet 15-30 minuta në qetësi pavarësisht se ai mund të duket i qullët. Kjo kohë mjafton që grimcat e miellit të thithin lagështirën e brumit të qullët. Nëse shihet se brumi ka mbetur përsëri si i qullët, atëherë atij mund t'i shtohet edhe një dorë miell. Kështu me këtë brume ballokumet nuk do të shtrihen gjatë pjekjes.

PJEKJA
Tepsiat lyhen më pak gjalp dhe spërkaten më pak miell. Pastaj, nga brumi tashmë i gatuar, formohen me dorë gurabiet me madhësi jo të vogël dhe vendosen mbi tepsi të larguara nga njëra tjetra. Paraprakisht furra është nxehur në 170°C. Futet tepsia në furrë dhe lihet aty derisa ballokumet të formojnë pak kore (jo të skuqen). Nxirret pastaj tepsia nga furra dhe lihet të ftohet, me qëllim që ballokumet të shkëputen lehtësisht nga ajo.