Publikuar 11.7.2008
Grupimi “G99” ka marrë mbështetjen e deputetit të pavarur, Gilman Bakalli, për të depozituar pranë zyrave të Kuvendit një propozim për ndërhyrje legjislative në mënyrë që Kodi i ri Zgjedhor i Shqipërisë, të përfshijë çështjen e votës së emigrantëve, që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë. Pas depozitimit në Kuvend të draftit nga ana e deputetit Bakalli, ai dhe përfaqësuesi i G99-s, Maklen Misha, thanë se ky veprim përbën një nga hapat më të rëndësishëm për të realizuar të drejtën kushtetuese të emigrantëve shqiptarë për të marrë pjesë në proceset politike të vendit. Gilman Bakalli deklaroi se mbështeste plotësisht nismën e G99-s dhe se shpresonte që ky propozim të merrej në konsideratë serioze, mos të anashkalohej nga Kuvendi i Shqipërisë dhe të lihej të flinte në sirtarë. “Duhet vullneti politik për të mbështetur një nismë me rëndësi jetike politike”, - tha Bakalli duke theksuar se rekorde shpejtësie nuk duhen vendosur vetëm në miratimi i rregullores. Përfaqësuesi i G99-s, Maklen Misha, tha se ky propozim bën të mundur përmbushjen e borxhit që demokracia shqiptare i ka thuajse një të tretës se qytetarëve të vet. “Për hartimin e këtij propozimi lëvizja “G99” është mbështetur jo vetëm në përvojën e ngjashme të vendeve të tjera, por edhe në një konsultim të gjerë profesional me ekspertët më të mirë të vendit dhe me shoqërinë civile”, - tha ai.
G99-a propozon që votimi i emigrantëve të kryhet me postë dhe numërimi i këtyre votave të kryhet nga komisione të posaçme, në Komisionet Zonale të Qendrave të Votimit. “Shteti Shqiptar duhet të ndërmarrë një fushatë intensive për të informuar bashkatdhetarët tanë jashtë atdheut për mundësinë e votimit si dhe për mënyrën se si mund të vetëregjistrohen si votues të jashtëm”, - thuhet gjithashtu në propozimin e G99-s.
Gazeta Albania
© Copyright Qyteti i Torinos - Lajmërim ligjor
(Software powered by Big Medium)