Publikuar 13.6.2008
Qytetarit të Kosovës i nevojitet mbrojtja e të drejtave të tij në botë dhe për këtë është e domosdoshme hapja e përfaqësive diplomatike, sidomos konsullore të Republikës së Kosovës në shtetet perëndimore…
Autor Lulzim MJEKU*
Përfaqësimi i një shteti në botë është veprimtari historike nga antika e deri më sot. Të gjithë përfaqësuesit e këtillë peregrinë, për shkak të natyrës mobile të tyre, qofshin ata të dërguar të perandorive, mbretërive apo demokracive, hasnin në mikpritjen zakonore të nikoqirit. Ata janë quajtur me emra të ndryshëm gjatë historisë, konsuj tregtarë, së fundi edhe ministra (ambasadorë) por, meqë bartnin postën e politikës së shtetit të vet – diplomën – ata u quajtën diplomatë dhe zanati i esnafit të tyre - diplomaci.
Paprekshmëria; nga normë morale në normë ligjore
Kjo sferë e marrëdhënieve ndërkombëtare është zhvilluar nga të qenit e drejtë zakonore e mikpritjes, paprekshmërisë së mysafirit, deri në kulmimin e saj në shekullin XX. Si rrjedhojë e zhvillimit të marrëdhënieve dhe të drejtës ndërkombëtare kjo e drejtë zakonore u shndërrua në të drejtë të kodifikuar diplomatike e konsullore. Ky kodifikim i thjeshtësoi dhe uniformoi shumë titujt dhe epitetet e diplomatëve. Vitet që paraqesin kthesë në procesin historik të kodifikimit të kësaj sub-disipline filluan më 1928 me Konventën e Havanës mbi Zyrtarët Diplomatikë, me një projekt-konventë të Harvardit më 1932 dhe kulmuan me Konventën e Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike më 1961 dhe me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore të vitit 1963. Kosova po bëhet pjesë e kësaj të drejte të kodifikuar. Pas njohjes së një shteti, vendosja e marrëdhënieve diplomatike në kuptimin e ngushtë, shënon pikën kulmore në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve. Në rastin e Kosovës ajo ndodhet në fillim të ndërtimit të Ministrisë së Jashtme dhe të Shërbimit Diplomatik. Infrastruktura ligjore për formimin e këtyre institucioneve shtetërore tashmë ekziston. Kështu do t’i ofrohet mbrojtje qytetarit të Kosovës nga shteti i tij, dhe për këtë është e domosdoshme hapja e përfaqësive diplomatike, sidomos konsullore në shtetet perëndimore. Kjo vlen sidomos për diasporën e cila ka pritur këtë çast historik për shumë vjet. Mërgimtarëve do t’ua lehtësonte nxjerrjen e dokumenteve personale pa pasur nevojë që të vijnë në Kosovë. Ato së fundi do të mund të riorganizonin diasporën në planin kulturor si në stimulimin e aktiviteteve të klubeve shqiptare dhe në atë politik duke iu ofruar mundësinë për pjesëmarrje në zgjedhjet e Kosovës.
Gjetiu, shërbimi diplomatik i Kosovës ka mundësi të praktikojë organizimin e përzier, me funksione diplomatike dhe konsullore në të njëjtën ndërtesë apo ambasadë, siç praktikojnë shtetet e ndryshme. Në këtë plan ekonomizimi nuk është e thënë që përfaqësia diplomatike e Kosovës të hapet gjithsesi në secilin vend i cili akrediton diplomatë në vendin tonë, sepse kjo varet nga interesi dhe potenciali i shtetit tonë. Pra, nëse Republika e Kosovës nuk ka potencial dhe interes ekonomik për të hapur një përfaqësi diplomatike në një shtet, këtë mund ta ekonomizojë me akreditim të shumëfishtë, siç parashihet nga neni 5 i Konventës mbi Marrëdhëniet Diplomatike e vitit 1961.
Diplomacia e sinqertë e paqes
Në fund ka edhe alternativa të tjera, dhe detyrën e përfaqësimit mund t’ia besojë një vendi mik dhe të afërt në rajon që është i gatshëm të ofrojë shërbime të mira diplomatike. Në arenën diplomatike Suedia dhe Zvicra janë të njohura se kanë marrë shpesh rolin e përfaqësuesit të shtetit tjetër. Në rastin tonë Republika e Shqipërisë mund të jetë e gatshme për këtë rol mbështetës të përfaqësimit aktiv të Republikës së Kosovës. Sidoqoftë, vendosja e marrëdhënieve diplomatike të Kosovës me vende të ndryshme është hap i leverdishëm për qytetarin e Kosovës, pasi në këtë mënyrë atij i ofrohen disa mundësi për t’i shërbyer përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave të tij. Duhet të shfrytëzohet fryma shoqërore dhe institucionale që shërbimi diplomatik i Republikës së Kosovës ta pasqyrojë funksionin e vet të vërtetë, në shërbim të qytetarit.
Formimi i shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës është një punë kolosale, e paparë në historinë e deritashme të Kosovës. Janë të paktë qytetarë të Republikës së Kosovës të cilët kanë përvojë diplomatike. Kosova ka pasur një përfaqësim të vogël në ish-Sekretariatin Federativ të Punëve të Jashtme dhe në shërbimin diplomatik të ish-Jugosllavisë. Por, Kosova ka mjaft potencial njerëzor me kredibilitet i cili mund të angazhohet dhe akreditohet në cilësinë e përfaqësuesit të Republikës. Me një organizim të mirë dhe me ndihmën që eventualisht mund të ofrohet nga shtetet mike dhe të afërta që kanë ndarë zezonat e Kosovës apo kanë bashkëndjerë vuajtjet historike, do të mund të stërviteshin me punë praktike diplomatët e Republikës më të re të botës. Por, për shkak të natyrës tepër delikate të kësaj çështjeje, duhet angazhim i gjithanshëm i potencialit financiar, infrastrukturor, e njerëzor. Shërbimi diplomatik është një sferë e shtrenjtë e veprimtarisë shtetërore. Kjo detyrë madhore e shtetit bie barrë mbi përfaqësuesit më të lartë politikë të Republikës së Kosovës. Misionet diplomatike janë të mirëseardhura në Kosovë dhe plotësimi i kushteve për punë funksionale të tyre (imunitetet dhe privilegjet diplomatike) paraqet detyrim ligjor e jo vullnet politik para bashkësisë ndërkombëtare. Kosova nuk dëshiron ta dëbojë askënd. Për më shumë Kosova po thërret për ankorime të tjera të përfaqësive të diplomatike në Prishtinë në mënyrë që të jenë sa më afër për ta njohur gjendjen faktike në terren. Diplomacia e Kosovës është diplomaci e sinqertë, avokate e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Mbi të gjitha, Kosova është zëri i bashkëpunimit rajonal dhe me forcimin e pozitës së saj në skenën ndërkombëtare, ajo mund të luajë rol koheziv në forcimin e lidhjeve rajonale.
Vendimi i njohjes dhe letrat kredenciale
Në opinionin publik nuk qenë të rralla rastet e paraqitjes së ngatërruar të letrës së njohjes nga një shtet, dhe të letrave kredenciale. Letrat e njohjes nuk janë letra kredenciale të njohjes, as akreditiva. Letra e njohjes njofton për vendimin (politik, por me pasoja juridike) e qeverisë së një shteti se njeh shtetin e posaformuar. Më pas shteti i cili e ka njohur një shtet, një qeveri, ka mundësinë që të shprehë gatishmërinë për të vendosur marrëdhënie diplomatike. Nëse e sheh të arsyeshme ai e emëron përfaqësuesin e vet diplomatik. Vetëm pas këtij vendimi autoritetet e shtetit dërgues hartojnë letra për emërimin e një përfaqësuesi të tyre dhe këto janë letra kredenciale. Ato janë letra të cilat diplomati i autorizuar të veprojë në përfaqësim të shtetit të vet ia paraqet shtetit në të cilin akreditohet, i cili e jep pëlqimin (agremanin) e në rastin më të papëlqyer mund të mos e pranojë pa qenë i detyruar të japë arsyetim autoriteteve të shtetit dërgues. Në rangun konsullor ky pëlqim i shtetit pranues quhet ekzekuaturë.Ambasadori i dorëzon letra kredenciale presidentit të shtetit, ndërsa i ngarkuari me punë ministrit të punëve të jashtme. Dorëzimi i kredencialeve nga diplomati, është veprim i qartë i shkallës së nderimit që i bëhet marrëdhënieve dypalëshe. Emërimi i përfaqësuesve diplomatikë do të thotë ftesë e hapur që edhe shteti pranues të hapë përfaqësinë e tij diplomatike në shtetin i cili e dërgoi diplomatin, ndonëse jo detyrimisht në të njëjtin rang.
(*Autori është këshilltar politik i zëvendës kryeministrit Hajredin Kuçi. Pikëpamjet e shfaqura në këtë tekst janë personale.)
© Copyright Qyteti i Torinos - Lajmërim ligjor
(Software powered by Big Medium)