Publikuar 18.9.2008
Francesco Vietti, një i ri nga Torino, po punon së bashku me studentë shqiptarë në Itali për botimin e një guide tregjuhëshe për Shqipërinë.
Durres, 17 Shtator - ATSH- G.Kabashi
”Kam ardhur për herë të parë në Shqipëri si turist në vitin 2004, por tashmë nuk shkëputem dot nga vendi juaj”, shprehet Francesco Vietti, një djalosh nga Torino, i cili ka shëtitur thuajse të gjithë Evropën, por lidhja me Shqipërinë duket se është shumëplanëshe dhe afatgjatë. 26 vjeçari italian Vietti në një intervistë për ATSH-në, tregon se e ka vizituar Shqipërinë tre herë radhazi së bashku me Eleonorën, të fejuarën e tij me origjinë arbëreshe. “Kam zbuluar mjaft gjëra interesante, të cilat më kanë shërbyer për të kuptuar edhe bashkëatdhetarët tuaj që jetojnë dhe punojnë në Itali”, tha ai duke hapur kështu një bisedë që siç thotë vetë e ka “për zemër”.
Francesco ndodhet në Shqipëri që nga fillimi i muajit gusht të këtij viti, ku ka marrë një apartament me qera në Tiranë, por ka lëvizur thuajse në të gjithë Shqipërinë. Në Durrës ka ardhur për të disatën herë në kuadër të kërkimeve të tij.
“Kam ardhur në gusht së bashku me një grup prej 20 studentësh shqiptarë të Torinos, gjysma e të cilëve kanë lindur në Itali në familje që kishin mbërritur në Itali në fillim të viteve 1990, ndërsa pjesa tjetër kanë mbërritur vitet e fundit për studime.
“Grupi i studentëve drejtohet nga Blendi Shehaj e Benko Gjata dhe quhet “Djemtë e Rrugës Egnatia”. Që prej një viti ne po punojmë për të realizuar botimin e një guide tregjuhëshe për Shqipërinë”, shprehet Francesco Vietti.
“Do të jetë guida e parë e plotë, e cila vjen pas një mungese dhjetëravjecare të publikimeveitaliane që synojnë promovimin e Shqipërisë në të gjitha aspektet e saj. Guida në gjuhët italisht, anglisht dhe shqip do të jetë gati në dhjetor të këtij viti, ndërsa në muajin mars të vitit 2009 do të jetë në vitrinat e librarive”, thekson Vietti.
Por cilat janë lidhjet e turistit 26 vjeçar nga Torino me projektin e “djemve dhe vajzave” shqiptare? Francesco Vietti është lauruar në gjuhë të huaja dhe tashmë mbron doktoraturën me një temë nga kontributi i emigrantëve në zhvillimet e shoqërisë shqiptare, si dhe ndryshimin e vazhdueshëm të raportit mes tyre. Francesco vitet e fundit jep mësim në gjuhën italiane fëmijëve rusë dhe kinezë, familjet e të cilëve banojnë në Torino . “Bashkia e Torinos ka ndërmarrë një sërë nismash për të huajtë” -thotë ai. “Një nga të cilat është edhe mbështetja e nismave për njohjen më të thellë të kulturës së qytetarëve të saj, që vijnë nga vende të ndryshme të botës”, shton Francesco Vietti.
Gjatë dy muajve të qëndrimit në Shqipëri ai ka intervistuar një sërë sipërmarrësish shqiptarë, një pjesë e të cilëve kanë jetuar fillimisht në Itali dhe më pas kanë investuar kursimet e tyre në Atdhe.
”Gjithçka në Shqipëri është në lëvizje dhe kjo ndjehet jo vetëm në ndërtimet e pafund, por edhe në synimet e vetë qytetarëve”, nënvizon 26 vjeçari, duke ilustruar me një shembull: Dy nga studentët shqiptarë që do të përfundojnë këtë vit Fakultetin e Farmacisë në Torino kanë përcaktuar tashmë edhe se ku do t’i hapin farmacitë e ardhshme në Tiranë dhe në Shkodër”, shprehet me kënaqësi Francesco për miqtë e tij studentë nga Shqipëria. “Që nga mosha 18 vjeçare unë kam shëtitur në mbi 40 vende të Evropës dhe kam botuar në shtëpinë botuese “Massari” dy esse mbi Kaukazin dhe Çeçeninë”, thotë “turisti kërkues”. Por projekti “Djemtë e rrugës Egnatia” do të kurorëzohet me një kolanë botimesh që hapet me Guidën tregjuhëshe për Shqipërinë dhe do të vazhdojë më tej me Guidën për Moldavinë dhe vende të tjera.
”Gjithçka synon të rikthejë në vëmendje rrënjët e popujve, kuturën e tyre të lashtë e mbi të gjitha të krijojë ndjenjën e domosdoshme të vetëvlerësimit të merituar. Dhe shqiptarët kanë me se të krenohen”, vijon studiuesi i ri.
Universiteti i Torinos në fillim të muajit tetor do të hapë kursin universitar “Historia e Evropës lindore” me 60 orë akademike. “20 orë i kushtohen Shqipërisë dhe historisë e kulturës së saj. Ne kemi ftuar në këtë kurs edhe përfaqësuesit e shoqatave shqiptare në Torino dhe besojmë se ky do të jetë fillimi i një ndryshimi pozitiv. Deri tani fatkeqsisht megjithë praninë e madhe të të huajve në qytetin e madh industrial në veri të Italisë veprimtaritë për të huajt kanë qenë shumë të kufizuara”, tha Vietti.
Në bregdet po bie muzgu dhe Francesco vazhdon të tregojë se në fund të muajit shtator në Durrës do të zhvillohet një simpozium mbi turizmin në “vendin e shqipeve”. “Do të jem i pranishëm, pasi më intereson çdo gjë për të ardhmen e Shqipërisë. Tashmë bashkë me shoqen time arbëreshe Eleonora jemi pjesë e “djemve dhe vajzave të rrugës Egnatia””, përfundon ai
© Copyright Qyteti i Torinos - Lajmërim ligjor
(Software powered by Big Medium)