Tre ditë para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit, fushata e partive politike shqiptare po arrin kulmin.
Udhëheqësit e tyre po i bien kryq e tërthor vendit brenda ditës në mitingjet e tyre, duke i bërë thirrje elektoratit për mbështetje me votat e tyre.
Sot dhe nesër në Tiranë, forcat kryesore kanë paralajmëruar mbajtjen e mitingjeve të tyre përmbyllëse dhe dekoret e tyre janë duke u bërë gati.
Ndërkohë në median shqiptare, veçanërisht atë audiovizive, vazhdohet me intensitet propaganda elektorale, por disa emisione të paralajmëruara me pjesëmarrjen e udhëheqësve kryesore të partive politike janë shtyrë dhe debatet janë zhvilluar në nivele më të ulta.
Po cili është vlerësimi i partive politike për këtë fushatë?
Edi Paloka, kandidat për deputet i PD-së e vlerëson atë pozitivisht.
"Unë mendoj që ka qenë fushata më e qetë që kemi zhvilluar gjatë këtyre viteve, përveç incidenteve banale, që nuk mund të quhen as të tillë si grisja e posterave që ndodh rëndom, nuk ka patur asnjë incident tjetër të rëndësishëm dhe fryma ka qenë tërësisht positive. Kështu që mendoj që qëllimet e para që ne kemi patur si PD, për të patur një fushatë të qetë, sa më entuziaste në aspektin festiv të fushatës, mendoj që kjo pikë e parë lidhur me këto zgjedhje është realizuar. Tani mbetet që këtë atmosferë dhe qetësi ta ruajmë deri ditën e fundit të zgjedhjeve."
Nga ana e tij, Kastriot Islami i PS-së thotë se partia e tij është munduar të zhvillojë një fushatë moderne.
"Fushata në përgjithësi ka kaluar e qetë, nuk kanë munguar dhe rastet e tensioneve, të cilat kanë çuar deri në raste kërcënimesh apo dhe vrasje siç ishte rasti i kryetarit të PDK-së të Malësisë së Madhe që fatkeqësisht ka koinçiduar pas një retorike mjaft të ashpër dhe nxitëse konfliktesh nga kryetarja e kuvendit. "
Për Petrit Vasilin e LSI, fushata e kësaj partie ka qenë e pazakontë, ndërsa forcat e tjera politike kanë zhvilluar fushata arkaike.
"LSI nga ana e saj ka bërë një fushatë të pazakontë, sepse ka qenë e vetmja fushatë e një partie politike bazuar tërësisht mbi programin, pra mbi atë që janë zgjidhjet e mëdha të një vendi në krizë siç është Shqipëria dhe të shumë problemeve të akumuluar siç është varfëria ekstreme, papunësia dhe mjerimi i madh. Përsa i takon forcave të tjera politike do të mendoja që kanë zhvilluar përgjithësisht një fushatë relativisht arkaike me ngjyrime të forta ideologjike si në prag të viteve ’90, duke mos theksuar fare realitetin të cilin përjeton Shqipëria sot dhe që është realiteti i një vendi kapitalist që kërkon zgjidhje. Nuk ka munguar gjithashtu që mes forcave të tjera politike të ketë një tensionim shpeshherë artificial të panevojshëm të situatës e cila ka patur dhe disa kulme me 2 vrasjet që kanë ndodhur, të cilat janë përcjellë gjerësisht nga media. "
Nga ana e tij Aleksandër Meksi i LZHK-së thotë se fushata ka qenë e pabarabartë.
"Fushata elektorale duhet të kishte qenë më e mirë nëse do të kishin patur mundësi të njëjta të gjitha partitë gjë që nuk ka ndodhur dhe kjo ka shkaktuar në njëfarë mënyre një tensionim të situatës. Megjithatë ka ndryshime krahasuar me vitë më parë. Ka qenë me e qetë si fushatë dhe kjo do të jetë në dobi të votimeve. "
Në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit vazhdimisht është përmendur nevoja e zbatimit të standarteve zgjedhore, një prej të cilëve është edhe paisja e zgjedhësve me dokumente identifikimi dhe pjesëmarrja në zgjedhje.
Por vetëm pak ditë para zgjedhjeve, Ministria e Brendshme bëri të ditur se rreth 256 mijë zgjedhës shqiptare nga lista e zgjedhësve prej afro 3.1 milionë shqiptarësh nuk do të mund të votojnë për shkak të mungesës së dokumenteve.
Petrit Vasili i PS-së thotë se ky është një standart i paplotësuar.
"Pa hezitim ky mund të konsiderohet një standart i paplotësuar, është një ngjarje jo e lehtë për t'u kaluar sepse vonesa për këtë shkon tek të dyja partitë PS e PD, të cilat duke vonuar përtej çdo limiti llogjik, politik, por edhe të mundësive të administrimit tërë këtë proçes, e çuan atë në një krizë kohe të vërtetë e cila bëri që një numër që shkon tek 10% apo diçka më shumë e votuesve shqiptar të mbetet pa e patur këtë mundësi."
Edhe për Aleksandër Meksin e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar kjo është një mangësi.
"Sigurisht që është një mungesë mjaft e madhe për standartet e votimit derisa një pjesë e tyre nuk do të mund të votojë duke supozuar që këta janë zgjedhës potencial. Kjo dihej që më parë dhe kjo është arsyeja që unë pata bërë një propozim, që zgjedhjet të shtyheshin për 3 muaj me një qeveri teknike derisa të jepej mundësia për të votuar të gjithë."
Kastrot Islami i PS-së thotë se ky është një dështim i qeverisë së PD-së.
"PS ka qenë tërësisht e angazhuar qysh në ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe në hartimin e kodit të ri zgjedhor duke dhënë konsensusin e saj dhe me vullnet të plotë gjithçka që PS mund të jepte. Fatkeqësisht, PD për shkak të paaftësisë së saj dështoi në realizimin e këtij projekti madhor të pajisjes së shqiptarëve me letër njoftimin, ndonëse ishte PS gjatë gjithë kohës që tentoi të lehtësonte këtë proçes.
Ndërsa Edi Paloka i PD-së kërkon të provojë të kundërtën.
"Nuk është absolutisht një standart i paplotësuar, ka qenë një punë jashtëzakonisht e madhe e jona për të bërë të mundur që t'i çojmë njerëzit të aplikojnë fillimisht, por edhe në këto momente që flasim, po bëhet një punë e madhe për t'i çuar njerëzit që të tërheqin kartat. "
Komuniteti ndërkombëtar për zgjedhjet
Ndërkohë komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar për nevojën e zbatimit të standarteve zgjedhore.
Ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Withers dhe ai i OSBE-së Robert Bosh, kanë thënë se praktikat manipuluese të së shkuarës nuk duhet të përsëriten më.
Sipas tyre, nëse zgjedhjet e 28 qershorit nuk përmbushin standartet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, mund të pengohet perspektiva euroatlantike e vendit.
Duke komentuar këto deklarata Aleksandër Meksi thotë se shkelja e standarteve ka qenë e paralajmëruar që me miratimin e ligjit zgjedhor.
"Shkelja e standarteve ka qenë një dukuri që është rezultat i ligjit të shkruajtur në mënyrë të tillë që të ishin të privilegjuara 2 partitë e mëdha. Rrjedhimisht standartet kanë qenë të munguara si pasojë e kësaj pabarazie në sistemin elektoral. Megjithatë të gjitha zërat që fliten poshtë e përpjetë janë rezultat i mundësive që ofron në njëfarë mënyre ligji elektoral."
Ndërsa Petrit Vasili i LSI-së thotë se ky është një paralajmërim për dy partitë e mëdha veçanërisht atë në pushtet.
"Unë e përshëndes këtë deklaratë, sepse më në fund përfaqësues të rëndësishëm siç është ambasadori i Shteteve të Bashkuara, por edhe të tjerë, përfundimisht kanë kuptuar që deklarimet për një çështje delikate siç janë zgjedhjet duhet të jenë të qarta, të prera, pa asnjë ekuivok dhe kushdo që fut duart e zeza në votat e shqiptarëve, e pret një dënim i rëndë dhe është përgjegjësi shumë e madhe të izolosh vendin për shkak të zgjedhjeve me standarte të prishura."
Për Kastriot Islamin e PS ky është një mesazh mjaft i rëndësishëm.
"Është një qëndrim dhe mesazh mjaft i rëndësishëm dhe pozitiv, pikërisht disa ditë para zhvillimit të zgjedhjeve. PS i ka marrë të gjitha masat për të evituar të gjitha manipulimet e mundshme dhe për ti diskretituar ato."
Nga ana e tij Edi Paloka i PD-së angazhohet për zgjedhje të lira e të ndershme.
"Unë kam dëgjuar vetëm kreun e opozitës që jo sot, por ka të paktën 6 muaj që flet herë pas here për frikën e tij se zgjedhjet nuk do të jenë të lira e të ndershme, kurse për deklaratën e ambasadorit amerikan besoj se nuk ka deklaruar ndonjë gjë më të madhe sesa ajo që ka deklaruar kryeministri Berisha gjatë gjithë kohës. Jemi ne, është PD më e interesuar se kushdo tjetër që këto zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme që ne të arrijmë standartet se kështu do të realizojmë dhe një nga pikat finale dhe më të rëndësishme që ne kemi, që është integrimi i Shqipërisë në Evropë. "