Edicioni ne gjuhen shqipe - Edizione in lingua albanese



faqja e pare > zbulo > financime kanadeze për tunelin e kërrabës

Financime kanadeze për tunelin e Kërrabës

Publikuar 19.6.2009

Mania e tuneleve, pas Thirrës projektohet Kërraba
Gazeta Shqip - Një tunel prej 2.5 kilometrash që do të çajë malet e Kërrabës për të lidhur Tiranën dhe Elbasanin me një rrugë të shpejtë, ka qenë një ëndërr që nga koha e komunizmit, kur u projektua një rrugë e tillë për herë të parë. Afro dhjetë vjet më parë, studimi për rrugën e Elbasanit me tunel, u rishikua dhe u vlerësua se kostoja e tij ishte disa qindra milionë euro. Por, për shkak se fluksi i përgjithshëm i makinave që kalojnë Qafën e Kërrabës rrallë i kalon 3500 në ditë, projekti u pa thjeshtë si jorentabël.

Por, së fundmi, një grup inxhinierësh vendas besojnë se një tunel i tillë mund të bëhet realitet. Shoqëria anonime "Kërraba 2007", thotë se ka një projekt teknik, të cilin e prezantoi me ceremoni në prani të zëvendësministrit të Transporteve Ernest Noka. "Rruga e re do të ketë gjatësinë 31.5 kilometra dhe një tunel 2.5 km", thotë Fatbardh Doko, kryetari i bordit të shoqërisë "Kërraba 2007". Sipas një studimi të vjetër të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, projekti i rrugës së Elbasanit me tunel, është praktikisht i parealizueshëm, për shkak se është shumë i kushtueshëm. Mënjanimi i Qafës së Kërrabës do të shkurtojë kohë dhe shpenzime për transportin e pasagjerëve dhe mallrave nga Tirana në Elbasan, por të gjitha analizat e përfitueshmërisë nuk kanë nxjerrë ndonjë përfitim. Doko thotë se rruga e re bashkë me tunelin do të kushtojë 170 milionë euro.

"Ky segment", tha Doko, "bashkon Tiranën dhe Elbasanin në një kornizë ekonomike të përbashkët dhe komplementare, rrit efektivitetin e zonës industriale të Elbasanit, rrit vlerën e pasurive së paluajtshme të krejt qarkut, forcon arsyet e ndërtimit në Elbasan të zonës së lirë ekonomike, zgjeron shanset për burimet njerëzore aktuale dhe forcon prirjen për thithje investimesh".

Dje, Doko prezantoi një marrëveshje bashkëpunimi me një kompani kanadeze dhe premtoi se 600 milionë dollarë investime mund të vijnë në Shqipëri pas kësaj.

"Sipas këtij memorandumi, grupi kanadez ‘RSW International‘ merr përsipër të kryejë studimet e plota inxhinierike dhe supervizionin zbatimor të çdo projekti me interes të përbashkët, duke mundësuar financimin e këtyre projekteve përmes kompanive kanadeze dhe me mbështetjen e agjencisë shtetërore kanadeze të nxitjes së eksporteve, EDC", tha Doko në një deklaratë për shtyp.

Tuneli i Elbasanit, tuneli i Rrugës së Arbrit etj., janë disa nga iniciativat private për infrastrukturë moderne në Shqipëri, por iniciativat duket se janë shtuar pas ndërtimit të tunelit të Thirrës, i cili pritet të përfundojë në nëntor të këtij viti.

Ndërkohë, zyrtarë të ndryshëm të qeverisë, prej disa javësh kanë filluar të flasin për idenë e ndërtimit të një autostrade paralele me superstradën ekzistuese Tiranë-Lezhë, e cila, sipas ideve të qeverisë, do të përdoret përkundrejt pagesës. Qeveria kishte ide të paqarta edhe kur nisi projektin e rrugës Rrëshen-Kalimash, pasi kërkesat e saj për kompaninë sipërmarrëse ndryshuan nga vetëm shpimi i tunelit, në shpimin dhe muret forcuese, ndërsa ideja e tunelit u tkurr nga 20 kilometra i gjatë, në 5.5 kilometra.


Rrugë dhe lobingje

Idetë e kompanive private për ndërtimin e autostradave duket se kanë zëvendësuar një mani të vjetër të viteve 2000, atë të lobingjeve parlamentare të rrugëve. Në parlamentin 2001-2005, kishte shumë grupime të vetëshpallura "lobingje". Njëri prej tyre synonte ndërtimin e Korridorit Tetë, një tjetër Rrugën e Arbrit, një i tretë Rrugën e Kosovës që kalon nga Tropoja dhe një i katërt, rrugën e Kosovës që kalonte nga Kukësi. Të katra grupimet e vetëshpallura "lobingje" janë harruar tashmë, por ishin shumë popullorë në median e atyre viteve. Ndoshta e njëjta gjë do të ndodhë edhe me idetë e sotme për autostrada dhe tunele, por e rëndësishme është që idetë janë.