faqja e pare > komuniteti shqiptar
Publikuar 11.10.2007
Me rastin e fillimit të vitit të ri akademik 2007-2008, studentët shqiptarë organizuan një tubim të madh në mjediset e Universitetit “La Sapienza” të Romës. I ftuar për një bashkëbisedim të hapur me studentët ishte dhe Ambasadori i Shqipërisë në Itali zoti Llesh Kola.
Me këtë rast përshëndetën studentë shqiptarë, drejtues shoqatash të cilët theksuan nevojën e një bashkëpunimi më solidar mes tyre dhe dëshirën për të kontribuar në zhvillimin e shoqërisë dhe realitetit shqiptar. Gjithashtu përshëndeti edhe Profesor Elio Miracco, shef i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në “La Sapienza”, i cili ndër të tjera u ndal në traditën dhe në trashëgiminë e akumuluar në vite nga breza të tërë studentësh shqiptarë në universitetet e Romës dhe qytete të tjera italiane.
Më tej studentët i përshëndeti Ambasadori Kola, duke shprehur fillimisht kënaqësinë që gjendej mes studentëve shqiptarë dhe duke i uruar vit të mbarë akademik. “Ju jeni modeli ynë perëndimor, i kulturës sonë qytetare. Ju jeni pararoja dhe kontigjenti më i mirë shoqëror” – i është drejtuar Ambasadori studentëve shqiptarë. “Angazhimi im dhe i Ambasadës që drejtoj – ka nënvizuar Ambasadori – mbështetet në dy drejtime kryesore :
1- Në marrëdhëniet me Italinë, të cilat nga një model problematik që ishin, i kemi shndërruar në oportunitet të ndërsjellë e marrëdhënie bashkëpunimi mes dy vendeve partnere, duke superuar spontanitetin dhe politikat e emergjencës.
2- Shërbimi ndaj shqiptarëve. Jam i hapur dhe i bëhem ndihmë kujdo që ka nevojë. Ambasada shqiptare në Romë është e hapur për qytetarët shqiptarë, veçanërisht për studentët.
“Jemi gati të bashkëpunojmë dhe të mbështesim çdo veprimtari tuajën, shoqërore, kulturore, takime, ekspozita, këtu, në mjediset e ambasadës. Jemi të interesuar dhe po punojmë për thithjen e trurit, të vlerave tona, i mirëpresim propozimet tuaja dhe ju jeni të mirëpritur të punoni në atdhe. Natyrisht duke ju nënshtruar ligjeve dhe rregullave të konkurencës” – ka përfunduar Ambasadori Kola.
Studentët e pranishëm i përshëndeti gjithashtu Dr. Antonio Saulini, drejtor i UNIPOL-it, si dhe Drejtori i gazetës “Bota shqiptare” dhe “Shqiptari Italisë” zoti Roland Sejko. Z.Sejko pasi tregoi për ecurinë e mbarë të këtyre dy titujve, shtroi problemin e platformave të shoqatave shqiptare dhe vlerësoi përpjekjet konkrete të Ambasadës së Shqipërisë në Romë, që, për herë të parë, nxiti dhe mbështeti bashkimin e tyre.
© Copyright Qyteti i Torinos - Lajmërim ligjor
(Software powered by Big Medium)