Edicioni ne gjuhen shqipe - Edizione in lingua albanese



faqja e pare > komuniteti shqiptar

Festa e madhe e ANCIFRA-s ne Asti

Publikuar 6.5.2008

Gaz e mirenjohje

nga Eugjen Merlika
Asti është një qytet i vogël por i bukur në thjeshtësinë e tij gjysëm antike, që në përfytyresën e përgjithëshme të italianëve lidhet me tryezat e tyre dhe me kultin e Bakut, zotit të verës. Gjëndet në pjesën veriperëndimore të gjysishullit, në Piemontin e famshëm, aq të rëndësishëm në historinë e shtetit italian të bashkuar.

Që nga viti 2001 ky qytet hyri në historinë e familjeve shqiptare, të cilat kishin një pararardhës ose kryefamiliar me nënshtetësinë italiane e që, mbas shëmbjes së sistemit komunist në Shqipëri, vendosën t’i besojnë Italisë t’ardhmen e tyre e të fëmijëve. Historitë e këtyre familjeve kanë secila të veçantën e saj, por të gjitha ato i përshkon ideja dhe dëshira për të qënë qytetarë të këtij Vëndi, me të gjitha të drejtat e detyrat që gëzonin prindërit e tyre para se të ndërmerrnin odisenë e gjatë e të dhimbëshme në “Vëndin e shqipeve”. Kjo ishte dëshira, shpresa, në shumë raste iluzioni që i shoqëruan që kur vunë këmbën në atdheun e ri, duke lënë pas një Vënd që shpesh u kishte mohuar edhe të drejtën për të folur gjuhën e nënës, në shumë raste i kishte kushtëzuar për keq aspiratat për një jetë normale e herë herë i kishte bërë të paguajnë me skllavëri e privim lirie atë pjesë të gjakut italian që u vlonte ndër deje.

Historia e vërtetë e organizimit të tyre filloi në një ditë janari të vitit 2001, saktësisht më 28, kur me nismën e arkitektit Giorgio Rubolino, një pjesë e tyre, 31 veta themeluan shoqatën ANCIFRA, shoqatën kombëtare të familjeve italiane të riatdhesuara nga Shqipëria, që i vuri detyrë vetes të luftonte me të gjitha mjetet për të arritur trajtimin pensionistik të njëjtë me të riatdhesuarit nga Libia shumë vite më parë.

Shoqata u njoh zyrtarisht si mbarëkombëtare e krijoi degët e saj në të gjitha zonat gjeografike të Vëndit, duke zgjedhur si Kryetar të saj të përgjithshëm nismëtarin e saj. Atë ditë të 28 janarit zu fill rruga e gjatë dhe jo e lehtë e sendërtimit të një ëndërre, që qëndronte në bazën e një shprese të vakët se vitet e fundit të jetës do t’i kalonin pak a shumë si të gjithë bashkëqytetarët e tyre, duke patur një pension të llogaritur edhe mbi vitet e punës së kryer në Shqipëri.

Ishte një e mirë e madhe që do t’u bëhej nga Qeveria italiane, një e mirë që tingëllonte si një farë shpërblimi për dëmin e madh që kishte shkaktuar një marrëveshje e largët në kohë, e datuar 14 mars 1945, e që mbante firmat e zv. Ministrit italian të luftës, Mario Palermo e të Kryetarit të qeverisë shqiptare, Enver Hoxha. Ishte një marrëveshje që i linte dorë të lirë diktatorit shqiptar të vendoste në mënyrë selektive riatdhesimin e italianëve të mbetur në Shqipëri mbas luftës. Ishte pikërisht ai dokument ogurzi, i zbuluar kohët e fundit, që qëndronte pezull mbi jetët e këtyre njerëzve, që i kishte kushtëzuar ato e do të nxirrte krye edhe në diskutimet e sotme për të kujtuar kohët e vështira, kur lidhjet me Vëndin e ëndërruar ishin prerë, e prej tij nuk frynte asnjë lloj ere shprese, por indiferentizmi. Kujtimet afrohen në kohë, në vitet e para të riatdhesimit, në vështirësitë e futjes në një shoqëri të re, të ndryshme nga ajo e lënë pas, në punët e rënda, në sakrificat për të çuar përpara fëmijët, në mungesën e plotë të Shtetit që i trajtonte si gjithë të huajt e tjerë.

“ Nuk mund të ishte veçse një tjetër dhimbje, mbi të gjitha për kaqë nëna që u shuan në heshtje për t’u fshehur bijve të tyre hidhërimin e kthimit kaq shumë të dëshiruar. U gjendëm të huaj për herë të dytë e, siç ka thënë dikush, duhej të endeshim mes dy brigjeve të Adriatikut si hebrenjtë në shkretëtirë para tremijë vitesh, pa një atdhe e pa një identitet...” Kështu u shpreh prof. Frashëri, duke ndërpretuar mendimet e shumë të pranishmëve. Por dita e sotme, megjithëse nuk mund të shkëputej nga kujtimet, ishte një ditë feste e gazi, mbasi trishtimi i të parave ishte zbehur, harruar. “ Ne kemi në ADN tonë faljen e mund të harrojmë, pra mund të them se është ujë i kaluar...” tha ndërmjet të tjerash Karlo Radoja. Sot ishte ditë gëzimi e falënderimi, mbasi mes tyre do të ishte Ministri i Punës z. Cesare Damiano. Hyrja e tij së bashku me deputetin Massimo Fiorio në sallën e Hotel Reale, ku zhvillohej takimi, u prit me breshëri duartrokitjesh të njëqind e tridhjetë familjeve të pranishme. Ky burrë i imët e me fjalë të pakta ishte personi që, në emër të Qeverisë, kishte mbajtur një premtim duke futur në buxhetin e shtetit 2006 një projektligj, të cilin paraardhësi i tij e kishte mbajtur mbi tryezë më shumë se një vit pa e firmosur. Ai projektligj sendërtonte ëndërrën e kaq viteve e garantonte ata që do të delnin në pension se ai do të llogaritej edhe mbi vitet e punës në Shqipëri.

Kryetari i Shoqatës Rubolino, duke i dhënë mirseardhjen, u tregoi të pranishmëve se i kishte mjaftuar një takim prej vetëm tre minutash me Ministrin për t’i paraqitur atij kërkesën e ky i fundit pohoi se i mjaftuan ato tre minuta për të kuptuar problemin e për të vendosur zgjidhjen e tij. Ky fakt, shumë i rrallë në jetën politike e shtetërore, meriton një vëmëndje të veçantë që të imponon një respekt të pazakontë. Këtë respekt Ministri e lexoi në fytyrat e të pranishmëve e ky qe sodisfaksioni më i madh për punën e tij.

Shprehjet e falënderimit për të rrodhën në të gjitha përshëndetjet e ai u përgjigj me fjalë të thjeshta, duke treguar se si e kuptonte misionin e njeriut politik apo të pushtetarit, si një detyrë në shërbim të njerëzve. Kishte shumë sinqeritet në fjalët e tij, aspak demagogji, pak politikë aq sa nuk preku fare votimet e pritme, nuk kërkoi vota, siç do të kishin bërë shumë të tjerë.

“Faleminderit nga zemra z. Ministër, Zoti të bekoftë sepse ke bërë një vepër të mirë për bashkëqytetarët e tu, të lodhur nga një përvojë e gjatë dhe e dhimbëshme.”, u shpreh një nga ata që përshëndetën. Mbas përshëndetjes së Ministrit foli edhe Konsulli shqiptar në Milano, z. Spartak Topollaj i ftuar në këtë festë. Duke theksuar meritat dhe ndihmesën e popullit italian në kulturën botërore, ai uroi që marredhëniet ndërmjet dy Vëndeve të shkojnë gjithmonë drejt forcimit. Në këtë proçes dhe ky kolektiv relativisht i vogël do të japë ndihmesën e tij, mbasi mund të shërbejë si një urë lidhjeje mes dy Vendeve.

Këtë temë e trajtoi në fjalën e tij edhe Kryetari i ANCIFRAs Rubolino që u shpreh kështu: “Është e vërtetë ajo që dëgjuam deri tani për italianësinë e familjeve tona, por duhet të them se shumë prej nesh ndjehen thellësisht edhe shqiptarë. Pothuajse të gjithë kanë një prej prindërve shqiptar dhe ne, keq a mirë, pjesën më të madhe të jetës e kaluam atje. Prandaj edhe shoqata jonë synon të nxisë në gjirin e saj miqësinë me popullin krenar të Shqipërisë që nuk ka asgjë të përbashkët me ish diktaturën, duke bërë që secili prej nesh, aty ku jeton, të bëhet pikë riferimi për këdo që don te njohë nga afër vlerat e mëdha të kulturës së lashtë e të re e për historinë e “Vëndit të shqipeve”. Mund t’u njoftoj se shoqata jonë bën pjesë në Konfederatën e shoqatave shqiptare të Piemontit.”

Duartrokitjeve të sallës i u shtuan dhe ato të Ministrit Damiano e të ftuarve të tjerë. Ishte një shprehje e bukur dhe e hapur e harmonisë së ndjenjave e të përkatësive shpirtërore, një shfaqje në të cilën nuk ka vend për shovinizëm, për mohim, për hipokrizi, për ndërrim identiteti. Besoj se ky ishte edhe një nga çastet më të spikatura të këtij takimi festiv. Pataj vazhdoi dhënia e çmimeve që ANCIFRA kishte pregatitur për të gjithë ata që e ndihmuan çështjen e saj në arritjen e objektivit e së pari për Ministrin Damiano. Ishin dhurata simbolike me targat e kujtimit të shoqatës, me një poezi të vogël e me piktura të anëtarit të saj piktorit Eduard Soppi.

Pastaj Ministri u largua duke marrë me vete urimet më të mira të zemrave të të pranishmëve, ndërsa shoqata vazhdoi punën e saj me zgjedhjet e reja të organeve të saj e me vendimin që kuotat e paguara t’i kalojnë shtëpisë së fëmijës në Tiranë. Pastaj të gjithë u shtruan në tavolinat e restorantit për të darkuar së bashku. Darka u zgjat deri në orët e vogla e të nesërmen, më 16 mars 2008, secili mori rrugën për t’u kthyer në shtëpinë e tij. Familja e madhe e ANCIFRAs u shpërnda duke bërë një premtim që çdo vit të organizojë një ditë takimi të përbashkët e duke falënderuar në mënyrë të veçantë Presidentin e saj, në sajë të përpjekjeve disa vjeçare të të cilit u bë i mundur sendërtimi i një kërkese që do t’u japë të gjithëve mundësinë t’i kalojnë vitet e pensionit me qetësi.

Mars 2008


© Copyright Qyteti i Torinos - Lajmërim ligjor
(Software powered by Big Medium)