Edicioni ne gjuhen shqipe - Edizione in lingua albanese



faqja e pare > komuniteti shqiptar

Buletin Informativ i Institutit Kombetar te Diaspores

Publikuar 23.7.2008

(Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë)

Më 30 prill 2008 drejtori i Institutit Kombëtar të Diasporës, z. Flamur Gashi, priti një dërgatë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Qeverisë së Kosovës. Në bisedë me funksionarët e lartë të saj Ramush Lekaj, Nehat Mustafa dhe Nuhi Gashi, drejtori i IKD-së bashkërendoi veprimin e përbashkët për realizimin e tre prej drejtimeve më kryesore të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë. Për këtë qëllim u ra dakort për vijimin e punës në hartimin dhe zbatimin e një planprogrami të përbashkët për mësimin plotësues të gjuhës shqipe, për hartimin e botimin e librave unikë për këtë mësim si edhe u ra dakort për masat e realizimit sa më të suksesshëm të Seminarit të Katërtë të Mësuesve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, i cili kësaj rradhe do të mbahet në Dibër.

Instituti Kombëtar i Diasporës, si edhe në rastet kur ky Seminar u mbajt dy herë në Zvicër dhe vitin e kaluar në Durrës, është një nga bashkorganizatorët e tij.

Më 2 maj Drejtori i Institutit Kombëtar të Diasporës, z. Flamur Gashi i shoqëruar nga specialisti Thimi Nika zhvilluan përfunduan një ekspeditë njëjavore pune në Greqi. Krahas angazhimeve të tjera, në bashkëpunim me Ambasadën në Athinë dhe dy Konsullatat e Përgjithashme në Selanik dhe në Janinë, ata realizuan edhe një varg takimesh me shoqata të shqiptarëve në Athinë, Selanik, Megaro, Larisa, Korinth e Janinë, si dhe me shqiptarë emigrantë të të gjitha kategorive, intelektualë, punëtorë, gra e të rinj, studentë etj.

Në takimet e shumta kudo ku shkuam, të pranishmit, përfaqësues të shoqatave shqiptare, përpos ekspozesë së veprimtarisë së tyre, shprehën mendime e bënë sugjerime të ndryshme për ecurinë e punëve në të ardhmen, për kërkesat që ata kanë ndaj institucioneve të shtetit shqiptar, për marrëdhëniet me ambasadën e konsullatat dhe me Institutin Kombëtar të Diasporës.

Gjatë muajit maj drejtori i Institutit Kombëtar të Diasporës ishte i ftuar në Shliren të Cyrihut nga drejtues të diaporës shqiptare në Zvicër. Përveç problemeve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe, traditë që në këtë vend bashkësia e shqiptarëve të shtetit të Kosovës dhe ata të Shqipërisë e kanë në nivel më të mirë se në vende të tjera, z. Gashi shkëmbeu mendime edhe për përhapjen më efektive të kësaj përvoje. Po ashtu z. Flamur Gashi bëri një vizitë në redaksitë e gazetave „Bota sot“ dhe „Zëri“. Drejtori i IKD-së u takua në Sirnach me z.Mr.Don Marjan Markun, më pastaj me misionarin e kishës katolike për Argau z. Dr.Don Mikel Sopin, realizoi edhe takim me teolog Mr.Bekim Alimi. Zoti Gashi u takua edhe me afaristë, intelektualë të ndryshëm,

studentë, mësues të shkollës plotësuese shqipe të kantoneve të ndryshme, bashkëpronarë të restoranteve dhe diskotekave shqiptare që veprojnë në Zvicër, aktivistë të ndryshëm dhe sportistë.

Kjo veprimtari u pasqyrua në faqen e parë të „Bota sot“ si edhe në brëndësi në dy faqe speciale. Po ashtu edhe në „Zëri“.

Më 13 maj në një nga sallat e veprimtarive të MPJ-së, në prani kolegëve diplomatë dhe mediave drejtori i Instituti Kombëtar i Diasporës, z. Flamur Gashi, paraqiti një pasqyrë sintetike e letërsisë së krijuar nga emigracioni shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një ndër më të suksesshmet sot jashtë vendit. Mes të tjerash, duke u ndalur posaçërisht në vlerat e saj artistike, ai citoi edhe mjaft emra autorësh të suksesshëm. Me këtë rast në atë takim u promovua edhe libri i fundit i shqiptaro-amerikanes Albana Mëlyshi Lifschin, “Ura mbi oqean”, për të cilin ka folur gjërësisht media jonë.

Pasi të pranishmëve u foli shkurt për krijimtarinë e saj autorja u ndal tek e veçanta e librit “Ura mbi oqean”, i cili ishte zgjedhur prej organizatorëve sepse si në një udhëzues shërbimi konsullor, duke mbetur gjithnjë në nivel të arrirë artistik, u vjen në ndihmë të gjithë emigrantëve që kërkojnë të shkojnë për të jetuar e punuar në SHBA. Një karakteristikë e tillë e librit duket edhe në vetë renditjen e tematikës së tregimeve, që fillojnë që nga gjetja e një shtëpie, vazhdojnë më pas me proçesin e gjatë dhe të mundimshëm të kërkimit të punës, me njohjen dhe përshtatjen me mendësinë amerikane, pasurimin e tyre arsimor dhe kulturor etj.

Më pas për pjesëmarrësit zonja Lifschin, autore e nëntë librave, dhuroi me autografin e saj 65 kopje nga katër librat e saj të fundit, mes tyre edhe “Udhëtim në historinë Amerikane”.

Në vijim të takimit të kryer posaçërisht në Leçe dhe sipas marrëveshjes së rënë atje, me rastin e ardhjes në Tiranë të profesorëve të Universitetit të Salentos, Giancarlo Vallone dhe Franco Merico, me ta u bë një takim i veçantë. Bashkë me albanologen Monica Genesin, profesore e të njëjtit universitet si edhe një rreth studentësh shqiptarë që përkthejnë reciprokisht në gjuhët italiane dhe shqiptare, ky staf ka vënë në jetë projektin PromoAlba. Ky është një projekt për përhapjen e imazhit pozitiv të Shqipërisë dhe kjo bëhet nëpërmjet përhapjes së kulturës shqiptare, kryesisht të vlerave letrare dhe historike. Në takim u ra dakort që propjekti PromoAlba pas prezantimit në Leçe të promovohet edhe në Tiranë nën kujdesin e Institutit Kombëtar të Diasporës. Grupi i profesorëve ra dakort plotësisht, madje edhe për ta ribërë këtë gjë më të mirëorganizuar edhe në rrethet universitare të Pulias.

Nga data 26 maj deri më 5 qershor 2008, një ekspeditë e Institutit Kombëtar të Diasporës, e përbërë nga drejtori i tij, Flamur Gashi si edhe specialisti Ylli Polovina, shkoi dhe punoi në Itali. Brënda njëmbëdhjetë ditëve ajo vizitoi hapësirën më të madhe të mundshme gjeografike të vendqendrimeve më kryesore të diasporës shqiptare në Itali dhe grupi i punës realizoi takime në qytetet e Barit, Leçes, Kozencës, pesë fshatrave arbëreshë, Napolit, Romës, Firences, Milanos dhe Triestes. Intenerari nga jugu i Italisë deri në zonat më veriore i dha mundësinë grupit të punës që të njihet me problemet që emigrantët tanë kanë në rajone të ndryshme të vendit, prej atyre të zhvilluara ekonomikisht deri atje ku ende ka probleme të rritjes.

Përveç kohës së udhëtimit u realizuan përditë pesë deri gjashtë takime. Në Leçe, në Kozenca për dy ditë, për një ditë në San Demetrio Corone dhe më pas në Lecco të rajonit të Milanos, grupi i punës i ekspeditës ishte i pranishëm drejtpërsëdrejti në një veprimtari konkrete të diasporës

Me interes të ndërsjeltë në këtë veprimtari ishte takimi me përfaqësues të medias në gjuhën shqip si me botuesin e gazetës “Bota Shqiptare” Roland Sejko dhe drejtuesin e televizionit AlbaniaOnline Sokol Borshi (Romë). Veçanërisht i rëndësishëm ishte takimi në Radio Vatikan (me Don David Xhuxhaj), ku përveç vizitës në mjediset e Radios nga z. Gashi u dha një intervistë që u transmentua në një cikël disaditor.

Në këtë ekspeditë vend të veçantë zunë edhe takimet me nipin e Ismail Qemalit, z. Nedin Vlora, me dy familjet pasardhëse të Gjergj Kastrioti Skënderbeu si edhe në Trieste me familjen Stefa, Mësuesen e Popullit Eleni Stefa, gruaja e Martirit të Demokracisë Kostaq Stefa. Marrja e informacionit nga gjendja e tyre konkrete në emigracion u shoqërua me dhënie informacioni mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri, veçanërisht ato në drejtim të hopit në komunikacionin rrugor si edhe masat që po merren nga qeveria për zgjidhjen sa më të shpejtë të prodhimit të bollshëm të energjisë elektrike.

Në këtë ekspeditë u shpërndanë gratis mbi 120 copë libra me tituj të ndryshëm, duke filluar nga botimi special në anglisht i “Arsimi shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare” i Prof. Hysni Myzyri, nga po i njëjti autor i librit “Normalja e Elbasanit”, i albumit fotografik “Arbëreshët” i fotografit Niko Xhufka, i Abetares dhe i librit të Punëdores për fëmijët e klasave të para, i botimit “Gjysma e harruar e Skënderbeut”.

Në fund të muajit qershor Drejtori i Institutit Kombëtar të Diasporës priti në zyrën e tij z. George Miku, I Ngarkuar me Punë i Rumanisë në Tiranë. Zoti George e vuri në dijeni z. Gashi mbi një cikël koncertesh që do të kryejë në qytetet Korçë (3 korrik), Durrës (5 korrik) dhe Tiranë (8 korrik) Ansambli Muzikor “Serenata”, cili interpreton krijimtari shqiptare. Ky ansambël përbëhet nga njëzetë vetë dhe luan këngë e valle nga veriu, por edhe nga jugu i vendit tonë. Zoti Miku me këtë rast kërkoi mbështetjen e IKD-së, ç’ka z Flamur Gashi premtoi t’ja siguronte në të tre koncertet jo vetëm me praninë e tij dhe të specialistit që mbulon Rumaninë, por edhe të bashkëpunëtorëve që Instituti ka.

Gjatë bisedës mes të dyve u ra dakort për një rritje më të ndjeshme të bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe të promovimit të arritjeve të diasporës shqiptare në Rumani.

Në datën 8 korrik në mjediset e Ministrisë z. Flamur Gashi, priti në një takim të veçantë grupin e ansamblit muzikor shqiptaro-rumun “Serenata” me në krye deputeten e Parlamentit Rumun të zgjedhur me votën e komunitetit shqiptar, zonjën Oana Manolesku. Grupin e shoqëronte edhe zoti George Miku, I Ngarkuar me Punë i Rumanisë në Tiranë.

Gjatë takimit z. Gashi e falenderoi trupën artistike në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe bashkë me zonjë Manolesku dhe zotin Miku shkëmbyen mendime për thellimin e këtij bashkëpunimi dhe për evidentimin përherë e më inkurajues të vlerave të bashkësisë shqiptare në Rumani. Me mjaft interes vijoi biseda edhe me zotin Marius Dobresku, përkthyes i tridhjetë librave nga autorë të vendit tonë, mes tyre edhe i disa prej veprave të Ismail Kadaresë.

Ansambli Muzikor “Serenata”, në bashkëpunim edhe me Institutin Kombëtar të Diasporës, dha tre koncerte në Korçë, në Durrës dhe në Tiranë. Pas koncertit të fundit, realizuar në Tiranë, IKD në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme shtroi për këtë grup muzikor të njohur një darkë mirënjohjeje.


Në 10 korrik Drejtori i Institutit Kombëtar të Diasporës priti në një takim të veçantë zotin Ivan Giuseppe Drogo, president i kompanisë konsorcium Multicon, e cila përfshin në Liguria një grup të rëndësishëm me rreth 150 ndërmarrje. Të ardhurat vjetore të kësaj kompanie llogariten në 1 miliard euro. Zoti Drogo prej vitesh ka një bashkëpunim mjaft intensiv me disa shoqata shqiptare në Italinë e veriut dhe është sekretar i përgjithshëm i Unionit të Përgjithshëm Shqiptar. Një nga kontributet e tij më të spikatur është një kontratë që Ministria e Shëndetësisë së vendit tonë ka bërë me spitalin pediatrik “Giannina Gaslini” në Gjenovë, krijuar në 1931, një nga më të rëndësishmit institucione kuruese për fëmijët në Itali. Sipas kësaj marrëveshjeje në këtë spital do të kurohen çdo vit rreth 250 fëmijë me nënshtetësi shqiptare. Mbresa të veçanta ka lënë prania e tij publike në përkujtimin e shqiptarit Albert Kolgjeka, i cili vdiq në Gjenova nga një aksident në vendin e punës.

Zoti Ivan Giuseppe Drogo që prej janarit 2008 është i ngarkuar në zonën e Ligurias edhe me rolin e Komisarit të Corecom, Komitetit Rajonal për Komunikacionin. Ai ka qënë një ndër Presidentët e parë të aksionistëve për Autostradat, është sekretar i përgjithshëm i aksionerëve të shoqërisë Iride, grup që zë vendin e tretë në Itali për shpërndarjen e ujit dhe të gazit. Zoti Drogo është edhe organizatori i vizitës zyrtare të Papës Benedetto XVI në qytetin e Gjenovës në maj 2008.

Me këtë mik të madh të shqiptarëve dhe autoritet në vendin e vet biseda mes tij dhe zotit Flamur Gashi u përqëndrua në thellimin e bashkëpunimit për një ndihmë edhe më gjërë për diasporën tonë në zonën e Ligurias. Zoti Drogo ishte i gatshëm dhe entuziast që për Shqipërinë të kontribuonte edhe më shumë.

Në 14 korrik drejtori i IKD-së, z. Flamur Gashi, priti në takim një grup pune të IOM, të drejtuar nga përgjegjësja e projektit “Zbatimi i strategjisë për informimin e emigrantëve”, znj. Teuta Grazhdani Në bashkëbisedim u trajtuan edhe njëherë, duke gjetur përcaktimin përfundimtar, katër veprimtaritë më kryesore që në kuadër të këtij projekti Instituti Kombëtar i Diasporës dhe IOM do të kryejnë dy vitet e ardhshme. Ato do të kenë si objektiv parësor çështje të evidentimit të vazhdueshëm të personaliteteve shqiptare në diasporë, të studentëve jashtë vendit dhe të migracionit të kthimit. Po ashtu u shkembyen mendime edhe për objektiva të tjera të kësaj stratregjie si informacioni mbi marrëveshjet e lehtësimit të vizave ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të tjera të BE, krijimi dhe përvetësimi i një Website me informacion të hollësishëm mbi emigracionin në përgjithësi dhe të drejtat e detyrimet e emigrantëve në veçanti. etj.

Në 15 korrik në IKD u pritën të dërguarit e redaksisë qendrore të botimit “Dossier Statistiche Immigrazione” të Caritas italiane, zz. Antonio Ricci dhe Ginevra Demato. Dërgatën e shoqëronte sociologu Rando Devole, studjues i dukurive të emigracionit dhe të imazhit, i cili jeton e punon në Itali.

Gjatë bisedës u shkembyen informacione interesante mbi dinamikën e emigracionit tonë në Itali si edhe miqve iu shpjegua puna që bëhet nga strukturat e Ministrisë së Punëve të Jashtme, interesimi i qeverisë dhe i shtetit shqiptar për bashkëkombasit jashtë vendit. Të dy palët ranë dakort që botimi më i fundit i kësaj redaksie “Emigracioni, dosje statistikore 2007”, pasi në muajin shtator në prezantohet në Romë, menjëherë më pas ky promovim të bëhet edhe në Tiranë. Caritas me sekorin e saj që studjon emigracionin vitin 2007 e ka të shtatëmbëdhjetin në botimin e këtij libri-dosje me rreth pesëqind faqe dhe që për objektin, të cilin studjon, konsiderohet botimi informativ më i mirë në Itali.


© Copyright Qyteti i Torinos - Lajmërim ligjor
(Software powered by Big Medium)