Nga Massimo Gramellini
A je dakort që një beqar të birësojë një fëmijë, siç nxit Gjykata e Lartë? Do të përgjigjem shkoqur si gjithmonë: po jo por mundet. Jam rritur nga një prind i vetëm, madje mashkull, por pasi kisha mbushur nëntë vjeç: deri atëherë mami jetonte me ne dhe, siç pohojnë psikologët, ndodh gjatë periudhës së heqjes së gjirit që prania e të dy prindërve luan një rol thelbësor. Po të kisha lindur dje nuk do më bënte përshtypje mendimi i prindit të vetëm, të cilin as që do e takoja pasi do ishte i detyruar të punonte nga mëngjesi në darkë për të më rritur (siç ndodh edhe me çiftet, në sajë të punëve të pakta part-time dhe rrogave të ulta). Ama nëse do kisha si alternativë jetimoren ose katër rrugët, do isha mëse i lumtur të përfundoja në krahët e ndonjë beqari, duke lehtësuar vetminë e tij e timen.
Është e qartë se prindi im i ardhshëm duhet të renditet nga fundi i listës së pritjes, ku marinohen prej sa e sa kohësh çifte të panumërta. Dhe filtrat që kushtëzojnë caktimin tim ndaj kujdesit të tij duhet të jenë më strikte, duke ditur gjithësesi se ka një përqindje rreziku, pasi as një kongres asistentësh socialë nuk do të ishte i aftë të maste pritshmërinë e tij për të më dashur. Siç ndodh rëndom në fushën e të drejtës civile, nuk bëhet fjalë për të vendosur një detyrim, por për të çrrënjosur një mohim. Nuk them të jepet një privilegj, por të ofrohet një mundësi. Në një botë ku shkenca, më e shpejtë dhe më klasore se ligji, tashmë e lejon një beqar që ka të ardhura ekonomike të prodhojë bebushin e tij sipas parametrave të dëshiruara.